Ndonëse prej vitesh shkolla fillore e Arbanasit të Zarës mban emrin e intelektualit Kruno Krstiq, në oborrin e kësaj shkolle, ditë më parë, u bë edhe zbulimi i bustit të filozofit e psikologut arbëresh Kruno Krstiq.
Nga data 8 deri më 13 maj të vitit kalendarik, në Arbanas të Zarës arbëreshët festojnë në nderim të Zojës Loreto. Në kuadër të këtij manifestimi tradicional, arbëreshët e Zarës, në oborrin e shkollës së Arbanasit bënë edhe zbulimin e bustit të bashkëvendësit të tyre – Kruno Krstiq.
Në zbulimin e këtij busti morën pjesë edhe përfaqësues nga Kosova, Shqipëria dhe mërgata shqiptare.
Për realizimin e këtij përurimi të intelektualit erudit, gjuhëtarit dhe “shkencëtarit të gjithanshëm”, siç do ta quante dr. Josip Lisac filozofin e psikologun Kruno Krstiq, meritorë janë, pa dyshim, kolektivi i shkollës fillore nga Arbanasi me drejtoreshën Jasmina Mateshiq të ndihmua rnga Shoqata Humanitare “Sali Çeku” nga Gjermania e Zvicra (si financues të bustit), Shoqata Shqiptare e Prefekturës së Zarës, si dhe skulptori i merituar z. Gani Bajraktari, i cili me sukses kishte arritur ta ruante ngjashmërinë e bustit me figurën e vërtetë të Krunos. Këtë projekt madhor e ndihmoi edhe Zyra për Arsim e Qytetit të Zarës.
Po ashtu duhet vlerësuar iniciativën për këtë proces të z. Vesel Lekaj, student i doktoratës pranë Universitetit të Zarës, si dhe mësues i gjuhës shqipe në Arbnesh dhe në disa shkolla të tjera në Dalmaci. Organizatorët e kishin paraparë që solemniteti i zbulimit të bëhej në kohën e festave kushtuar Zojës Loreto. Të pranishëm ishin, pos arbëneshëve, shqiptarëve e kroatëve, edhe drejtori i arsimit i qytetit të Zarës dhe nënkryetar i qytetit, z. Joso Nekiq, si dhe vëllai dhe tezaku i Krunos, që më herët emigruan në Sidnej të Australisë dhe tash e disa vite të vendosur në Gjermani. I pranishëm ishte diplomati nga Shqipëria, z. Riza Poda, si dhe mysafirë nga Maqedonia e Veriut dhe nga Republika e Kosovës.
Ndër ta ishin: Vebi Miftari, këshilltar i Presidentes dhe përfaqësues pranë Selisë së Shenjtë në Vatikan; Rexhep Gjergji, këshilltar në Ministrinë e Punëve të Jashtme; Arben Xhurreta drejtor dhe zëvendësministër i Malit të Zi për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave; deputetja shqiptare në Kuvendin e Kroacisë, Ermina Lekaj – Përlaskaj; kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, akademikë, prorektorë dhe profesorë të tjerë nga Filologjiku i Prishtinës si dhe mërgimtarë nga shumë vende evropiane.
Kishte të pranishëm edhe përfaqësues të Misionit Diplomatik Shqiptar për Paqe dhe Prosperitet, si: Kristo Goxhi, komisionar i lartë dhe anëtar i Misionit Diplomatik si dhe nënkryetar i Ministrisë për pakica në Shqipëri; Dilbere Dika, drejtoreshë e Misionit; Nezir Lekaj, ambasador i Misionit Diplomatik me bashkëpunëtorë.
Misioni Diplomatik ndau mirënjohje me motivacion paqeje për kontribuesit e hapjes së paraleleve të gjuhës shqipe në shkollat e Dalmacisë, për drejtoreshën e shkollës së Arbëneshit -Jasmina Mateshiq, drejtoreshën e shkollës fillore në Bijaqi të Prefekturës së Splitit –Jadranka Shoshiq, si dhe për mësuesin e shqipes të këtyre shkollave fillore dhe të gjimnazit “Vladimir Nazor” -Vesel Lekaj.
Me heqjen e pëlhurës-mbulesë nga busti, rrezet e diellit e shkëlqenin bronzin e ftohtë e familjarët e Krunos me lot në sy, e përqafonin dhe e përkëdhelnin , duke i kujtuar vuajtjet e tij, si i përndjekur e deri-diku i harruar, e vëllai i tij sikur bisedonte me te, duke i pëshpëritur në vesh si: – “tashmë pusho i qetë vëllai ynë i dashur, u realizua ëndrra jonë, edhe ne jemi tashmë të qetë”.
Emrin e këtij personaliteti shkencor e meritor duhet që ta ketë edhe ndonjë institucion i lartë shkencor. Ishte viktimë e së vërtetës dhe e guximit intelektual. E shkroi fjalorin e parë të arbnishtes, kur ishte nën arrest, në vitet 1945-47. Guxoi ta shkruante fjalorin, së bashku edhe me Petro Guberinën (i cili i ndihmoi), që shprehte “dallimin mes gjuhës kroate dhe asaj letrare serbe (Zagreb, 1940). Për nacionalistët e linguistët serbë ishte veprim i patejkalueshëm. Ata donin e vepronin që përmes asimilimit gjuhësor ta bëjnë edhe asimilimin kombëtar. Ky, me shkrimet e tij, ishte një digë e fortë kundër qëllimeve të tyre. Fati që Mirosllav Kërlezha i dinte aftësitë e tij dhe në një farë mënyre e shpëtoi, duke intervenuar tek instancat e larta të shtetit të atëhershëm komunist. Zara deri në Luftën e Dytë Botërore ishte e aneksuar nga Italia. Komunistët, në emër të një pakice të vogël, meqë kishte bashkëpunuar me italianë, e gjetën si pretekst për etiketimin e arbneshëve dhe likuiduan mbi 100 intelektualë të aftë arbneshë që as sot nuk dihet për varret e as për eliminimin e tyre fizik, duke i hedhur në det. Miroslav Kërlezha e mori nën mbrojtje Krunon dhe më vonë e inkuadroi në Entin Leksikografik, në Zagreb. Prof. Lisac, në manifestimin kushtuar Krunos, me rastin e 110-vjetorit, në Shoqatën e Arbneshve ishte shprehur duke inkurajuar të pranishmit, se arbneshët i dhuruan Kroacisë një erudit të tillë dhe një patriot të ndërgjegjshëm e të pakompromis në kohë të vështira.
Në sallën e shkollës, në ditën e manifestimit dhe përurimit, u dha edhe një program kulturor artistik, ndërsa drejtoresha – Jasmina, foli edhe për historikun e kësaj shkolle në të cilën, fëmijët shqiptarë dhe ata të Arbneshit të Zarës edhe nga rrethe të tjera në prefekturë, e mësojnë edhe gjuhën shqipe sipas model C, sipas të cilit për pakicat kombëtare mbahet mësimi shtesë për mësimin (kultivimin) e gjuhës dhe kulturës së tyre, e lejuar nga Ministria Kroate e Arsimit. Organizimi i mësimit për gjuhën dhe kulturën shqiptare në këtë shkollë ka filluar që nga viti 2014.
Falë angazhimit të intelektualëve arbneshë, përkushtimit të tyre që qenia arbneshe të rrojë në vendin ku ishin ngulitur para afro 3 shekujsh, pra, në tokën ku dikur jetonte fisi ilir i Liburnëve. Ata kontribuuan gjithanshëm për Zarën e Kroacinë, gjithnjë e më shumë, të dalë në sipërfaqe roli i tyre si dhe të faktorizohen si bashkështetndërtues të Kroacisë./Sylejman Morina/