Nga rrëfimi i Bajram Hysen Kryeziut, më 23 gusht të vitit 2012, Xhevdet Kallaba e Shefik Sadiku regjistruan bisedën ku flitet për trimërinë dhe patriotizmin e Murat H. Kryeziut para më shumë se një shekull.
Thonë se nuk ka “bukë të keqe dhe pushtues të mirë”. Shikuar historikisht, secili pushtues është përpjekur që të përdorë “kute” të ndryshme për të sunduar sa më lehtë. Teoria “përçaj e sundo” sikur ka gjetur më së shpeshti vend te të robëruarit. Sidoqoftë, çdo gjeneratë ka nxjerrë njerëz, të cilët e kanë kundërshtuar pushtetin, duke dhënë kështu shembullin e padëgjueshmërisë përmes sakrificës së individëve të zgjuar dhe trima. Pushtuesi shpesh ka taktizuar, duke u dhënë njerëzve të tillë poste me shpresë që t’i përvetësojë, por ka raste kur, pikërisht, ata njerëz janë treguar më patriotë.
Në një bisedë ekskluzive në familjen e dëshmorit roganas Selver Kryeziu, babai i tij, Bajram Kryeziu rrëfen historikun e familjes së tij për një periudhë gati 100-vjeçare. Mixha Bajram, gjatë rrëfimit të tij përmend disa emra nga familja e tij që vazhdimisht e kanë kundërshtuar dhe luftuar pushtetin okupator serb, duke apostrofuar sidomos, Muratin, Veliun, Zylfiun, Sejdën, Hevziun dhe së fundi Selverin.
“Babai im është quajtur Hysen dhe ka qenë djalë i Sinanit. Sinani kishte edhe dy vëllezër: Muratin dhe Rexhepin. Murati ishte i zgjuar dhe më i shkathët, kështu që pushteti (në vitet e 20-ta të shekullit XX) e kishte emëruar kmet (kryeplak) të fshatit Rogoçicë. Djali i Muratit, Zylfiu, nuk ishte i shkolluar, por e njihte mirë historinë e fshatit, sikur të ishte historian. Ai tregonte se Mixha Murat paska qenë kmet (në kohën e Serbisë – kryeplak) në Rogoçicë dhe se, për shkak të mbrojtjes së interesave të popullit të vet, e paskan maltretuar serbët, kështu që ai ishte arratisur në Sofje të Bullgarisë. Arratisja e Muratit i kishte brengosur dhe i kishte nevrikosur pushtetarët e Rrethit të Gjilanit, saqë ai kërkohej për t’u likuiduar.
„Familja jonë kishte jetuar në bashkësi prej nja 30 anëtarësh. Dikush prej nesh kishte shkuar në Bullgari për ta informuar Mixhën Murat për torturat që po ia bënte pushtuesi serb familjes së tij. -Tridhjetë anëtarë të familjes po vuajmë për shkak teje, i kishte thënë”, rrëfen Mixha Bajram. Murati e kishte marrë shumë për zemër këtë gjendje kërcënuese të familjes së vet dhe kishte vendosur të dorëzohet tek organet shtetërore serbe, edhe pse ishte i vetëdijshëm për pasojat.
Një ditë pranvere të vitit 1921 Murati niset nga Sofja për në shtëpi. Ishte plot mllef në okupatorin hakmarrës serb. Mbase, më me dëshirë, mllefin do ta zbrazte në “naçellnikun” e xhandarmërisë serbe, duke ia shkrepur një gojë plumbash nga revolja, por kishte dhembje për pasojat që do t’i bartte familja, e cila për Muratin ishte e shenjtë. Rrugës kishte marrë një vendim të prerë: – do të shkonte për një natë të çmallej e të hallashtisej me familjen e pastaj të dorëzohej në stacionin policor të Gjilanit. Pra, kishte vendosur që ta sakrifikojë veten për t’i shpëtuar anëtarët tjerë të familjes. Një vendim i rëndë, por burrëror!
Paraqitja e Muratit në burgun e Gjilanit ishte e pritshme
Nga Rogoçica Murati niset pasi dielli kishte dalë një pëllëmbë mbi kodrën e “Cukelit”. Ishte përshëndetur me të madh e të vogël të mahallës së vet. Merrte hallallëk nga të gjithë. Pas çdo fjale të thënë përpihej, sikur bllokonte eksplodimin e dhembjes që i ishte akumuluar në zemrën e tij. Ishte i vetëdijshëm se çdo fjalë e tij, çdo përshëndetje e tij ishte e fundit. Nuk lejonte askënd të përlotej. Edhe vetë përmbahej. Qeshte disi dhunshëm, por qeshte me secilin që e përshëndeste. Me të arritur në Gjilan, ishte ndalur disa metra larg stacionit policor, jo për t’u hamendur për vetëdorëzim, por që të merrte forcë për një dorëzim sa më dinjitoz. Nuk dëshironte të shprehte luhatje para “naçellnikut”. Donte të ishte i prerë në vendimin për vetëdorëzim. Me një frymë arriti në stacion, ku dyert e hyrjes ishin të hapura.
-“Më keni kërkuar? – Ja, erdha!”, iu drejtua një xhandari mustaqetrashë, tek po bënte roje në korridorin e burgut të Gjilanit.
-“Po, kush je ti ore bandit që sillesh kështu si kapadai”, ia kishte kthyer xhandari?
-“Tregoni “naçellnikut” se ka ardhë Murat Rogoçica vetë”, i kishte thënë shkurt e qartë Murati.
Xhandari, sikur ta kishte dëgjuar disa herë këtë emër; gjeti shpejt një zëvendësim dhe mësyu shkallëve drejt katit të dytë për ta marrë sihariqin te “naçellniku” për ardhjen e Muratit. Naçellniku, vetë i treti, zbret poshtë në korridor dhe ndalet para këmbëve të Muratit.
-“A është e mundur, a është e mundur!”, kishte murmuritur fjalët në serbisht dhe sikur e kishte përfunduar fjalinë pa nxjerrë zë nga goja, por që ato fjalë duhet të kishin qenë: “A është e mundur që të vijë ky „peshk“ vetë në rrjetë”.
Derisa Murati po e shikonte armiqësisht naçellnikun, ky i fundit ia kishte sharë me diell, e me babë e nënë, dhe kishte urdhëruar bashkëpunëtorët që ta prangosin Muratin.
Muratin e fusin në qeli dhe menjëherë nisin procesin e dënimit. Shpejt marrin vendim për pushkatimin e Muratit, pa i dhënë arallëk (afat) për ndonjë ankesë ose për të kërkuar ndërmjetësimin e ndonjë avokati.
Në atë kohë, dënimet bëheshin në stilin “Kadia të padit, kadia të gjykon”.
Një paradoks i kohës ishte se, derisa Murati ishte dënuar me pushkatim, djali i tij Zylfiu, bashkë me dy nipat e tij, Veliun dhe Jahiun gjendeshin në shërbim ushtarak të Serbisë.
“Disa matrapazë serbë i thonë babait tim Hysenit”, rrëfen Bajrami, – “na sjell ti neve para dhe ne ta shpëtojmë axhën”.
Hyseni e kishte vizituar çdo javë axhën Murat në burgun e Gjilanit dhe i kishte rrëfyer për këtë mundësi lirimi. Mixha Murat paska pas qenë i mençur dhe i thotë Hysenit: – “biro, ti ruaj paratë se shkiet t’i marrin paratë dhe nuk ta kryen punën, kurse unë e di se mua kanë për të më mbytur. E imja ka mbaruar, sepse mua më kanë kërkuar për të më likuiduar”, i kishte thënë Murati nipit – Hysenit.
Gjatë qëndrimit në burg Murati përmallohej për të madh e të vogël të familjes së tij. “Gjatë një vizite kërkoi t’ia sillnim për vizitë edhe një djalë me emrin Hevzi, dhe ia dërguam”, thonte baba Hysen. Policia i kishte marrë që të dy dhe i kishte shëtitur me një pajton nëpër sheher (qytet). Një zot e dinte se ku ishte sherri i kësaj shëtitjeje! Kur i kishte ardhur dita për ekzekutim, kasnecët matrapazë të xhandarmërisë e kishin njoftuar Hysenin: – “eja se po e pushkatojnë Muratin”, ishte lajmi i kobshëm për familjen Kryeziu. Ishte pranverë e vitit 1920. Në fushë sapo kishte filluar gjelbërimi që shënonte nismën e një jete të re të botës bimore, kurse për Murat Rogoçicën dora e njeriut kishte përgatitur fundin e jetës së tij. Bimët dhe kafshët guxonin lirshëm të jetonin në tokën e vet, por, ama, shqiptarët e kishin shumë vështirë.
Pushteti, përmes rastit të Muratit ose ngjashëm me këtë, bënte spektakle për të dëshmuar “dhëmbin” e dhunës dhe “dorën e fortë” pushtuese. Prandaj, për ekzekutimin e Muratit kishte zgjedhur ditën e shtunë, kur në Gjilan ishte ditë tregu. Atë ditë po vlonte qyteti prej njerëzve që kishin ardhur nga fshatrat e Anamoravës. Muratin do ta kishin pushkatuar njëqind herë brenda rrethojës së burgut dhe askush nuk do të kishte kuptuar. Por, jo! – Qytetarë e fshatarë duhet të njihen më drejtpërdrejt me dorën e fortë gjakatare të pushtetit të Kralit, pandehte pushteti i Gjilanit. Kështu, kishte filluar “spektakli” gjakpirës. Para burgut, xhandarmëria largonte turmën e njerëzve, duke i njoftuar ata për pushkatimin e Murat Rogoçicës. Një grup ushtarësh nxori Muratin duarlidhur nga ndërtesa e burgut dhe mësyu drejt rrugës kah Ferizaj. Që gjëma e kësaj makabre të jehojë sa më shumë ndër njerëz, vendi i pushkatimit ishte caktuar në dalje të Gjilanit, rruga për në Ferizaj. Të gjithë ata kalimtarë të rastit do të kuptonin për këtë pushkatim, dhe secili prej tyre do ta përcillte këtë lajm në vendbanimet prej nga ishin. Ky, pra, ishte edhe qëllimi i kësaj mënyre të ekzekutimit. Vendpushkatimi ishte paracaktuar te një dardhë, në dalje të Gjilanit. Aty ishte bërë një gropë, sikur donin t’i varrosnin pesë vetë, tregonte baba Hysen. Muratit ia deshin rrobat. E lënë vetëm në këmishë e done. Tentojnë t’ia lidhin edhe sytë, por ai nuk kishte pranuar.
“Nuk i frikësohem vdekjes jo, mos m’i lidhni sytë”, kishte thënë Murati, dhe po shikonte drejt turmës në mos po e shihte ndokënd nga familja që të përshëndetej edhe një herë të fundit. Pas pak jepet urdhëri për pushkatim. Krismat e pushkëve rrëqethin popullatën e pranishme dhe të pafuqishme për të kundërshtuar këtë pushkatim. Në fytyrat e pushtetarëve, xhandarëve dhe ushtarëve reflektohet shkëlqimi i “suksesit”, duke aluduar në sintagmën porosidhënëse për popullatën: – “Ja pra, kështu ne i shpërblejmë armiqtë e popullit serb”. Në anën tjetër, përkundrazi, qëndrimi burrëror dhe heroik i Muratit ngjallte edhe më tepër vetëbesim dhe vetëvendosje te popullata që të mos i trembet assesi pushtuesit serb.
Tek po plandosej Murati përtokë shqiptarët e pranishëm, të gjithë njëzëri, ofshanë për humbjen e një bashkëkombasi, ndërkaq ushtarët e xhandarët e marrin trupin e pajetë të Muratit dhe e hedhin, si një gur të pavlefshëm, në varr. E mbulojnë me dhè pa e mundësuar të paktën një ceremoni fetare, duke thyer kështu të gjitha të drejtat elementare njerëzore. Për Hysenin, i cili e kishte parë me sy pushkatimin e axhës, ishte një përjetim i rëndë, por njëkohësisht ndjente një krenari për atë qëndrim heroik të Muratit. Hyseni kthehet në shtëpi me zemër të thyer e i rraskapitur psikikisht.
Për këtë pushkatim, shumë vjet më vonë, rrëfen edhe atdhetari i shquar Hysen Tërpeza.
-“Ka qenë ditë e shtunë. Në qytet kishte shumë njerëz. Xhandarët na ndalën dhe na thanë se po e pushkatojnë Murat Rogoçicën”, kishte kujtuar atë rast makabër Xha Hysen Tërpeza.
Atë kohë, nipi i Muratit, Veliu ishte ushtar në Kikindë. Me të dëgjuar për pushkatimin e axhës revoltohet për t’u shprehur: “Mua ma kanë pushkatuar axhën e unë t’i shërbej shkaut, – kurrë nuk bëhet”, kishte thënë Veliu dhe ishte arratisur në Rumani e pastaj në Turqi. Më vonë emigron në Shqipëri.
Reprezaljet e pushtetit serb nuk ishin risi për roganasit. Muratit edhe më herët (1915) ia kishin pushkatuar vëllain Mulla Rexhepin dhe një të afërm tjetër, Hasanin e Muharremit bashkë me një grup tjetër bashkëfshatarësh. Bile, për këtë rast Mixha Shefki (i Abazit) tregonte se si Veliçko Domorovci e kishte nxjerrë pushkën me i vra që të dy. Mixha Hasan kishte qenë më i plotë. Atëherë burrat bartnin mitanë. E shpërthekoi mitanin dhe iu drejtua Veliçkit: qit, se unë nuk trembem prej plumbit të shkaut. „Ne na erdhi keq që do ta vriste dhe u larguam që të gjithë, mirëpo pasi ia drejtoi pushkën sërish e tërhoqi dhe nuk e vrau“, thoshte Mixha Shefki. Mirëpo ata i kanë marrë, dhe lidhur i kanë dërguar në Hodonoc ku edhe i kanë pushkatuar dhe nuk u dihet varri.
Kërcënimi i pengmarrjes së familjes, strategji shtetërore e pushtuesit serb
Për pushtetin serb kjo familje ishte bërë therrë në sy. Kur kuptojnë për dezertimin e Veliut nga ushtria, vazhdon hakmarrja kundër familjes. Tridhjetë anëtarët e familjes i marrin dhe i dërgojnë deri në Ferizaj. Aty e ndajnë familjen duke i marrë: Sinanin me vajzën, Hysën si dhe djalin, Hysenin me bashkëshorten e tij Halimen. Të gjithë këta i dërgojnë në burgun e Nishit ku i mbajnë 9 muaj.
Ishte e pakapshme për Mixhën Sinan, nëse pushteti serb po e përfillte me përpikëri ligjin ekzistues apo jo. Dukej sheshazi se regjimi serb, duke burgosur burra e gra synonte mbjelljen e frikës te shqiptarët. Burgosja e Halimes shtatëzënë ishte kulmi i sjelljes së egër të regjimit serb. Xhandarët nuk e kishin parë të arsyeshme që, të paktën, Halimen shtatëzënë ta kursenin nga maltretimi psikofizik në kazamatin e Nishit. Kështu, Halimja ishte shtatëzënë, dhe në vitin 1921, gjatë qëndrimit në burgun e Nishit, e lind vajzën Nevrijen. Pale, se si do ta ketë përjetuar atë lindje Halimja?!
Në mungesë të kronikëve shqiptarë të kohës, shumëçka ka mbetur enigmë për fatin, jo vetëm të këtyre të burgosurve, por edhe të mijëra të burgosurve të tjerë shqiptarë nëpër kazamatet e Serbisë e më vonë, deri në luftën e UÇK-së, edhe në kazamatet e ish- Jugosllavisë.
Veli(Sinan) Kryeziu (1893 –1977)
Turqia apo Shqipëria ? – dilema për emigrim
Dezertimi i Veli Rogoçicës nga ushtria serbe ishte i pashmangshëm. Kthimi në Rogoçicë ishte me shumë rreziqe, jo vetëm rrugës, por edhe paraqitja e tij në shtëpi. Kalimi në kufirin verior nuk ishte praktikë e shqiptarëve, nga bindja se ajo pjesë nuk ishin myslimanë dhe strehimi ishte i pasigurt. Një pikë e afërt kufitare me Serbinë ishte Rumania, por jo edhe vend ku do të strehohej Veliu. Bile, as Bullgaria nuk parapëlqehej për strehim, mirëpo ishte një vend i domosdoshëm transitor për në Turqi. Veliu kishte synuar Turqinë me shpresë që atje do të ambientohej më lehtë për të jetuar deri në një situatë të re që do të krijohej në Kosovë. Mirëpo, qëndrimi në Turqi Veliut i dukej shumë larg Kosovës, larg familjes. Disi edhe vendi nuk i ishte përshtatur. Atë e brengoste fati i anëtarëve tjerë të familjes. Shpesh i shkonte mendja se në shenjë hakmarrjeje do t’ia djegin lagjen, mbase edhe fshatin. Veliu ishte në moshë të pjekur, kishte bërë edhe një përvojë ushtarake. Dëshironte të jepte kontributin e tij atdhetar, dhe, ku më shumë e më mirë se në Shqipëri. Kështu, po të njëjtin vit Veliu kalon në Shqipëri. Ishte vendosur në Kavajë, afër Durrësit. Shpejt kishte vënë kontakte me patriotë të tjerë kosovarë. Kishte bashkëpunuar ngushtë edhe me patriotin e shquar, Bajram Currin. Pas një kohe ishte martuar me vajzën e Rexhë Qarrit. Me këtë grua Veliu kishte bërë familje. Ajo i kishte lindur tre djem. Në fillim të Luftës së Dytë Botërore Veliut i vdes gruaja, duke ia lënë tre djem jetimë. Nuk kishte kush të përkujdesej për fëmijët jetimë, kështu që Veliu vendos t’i sjellë fëmijët në Rogoçicë. I lutet vëllait, Hysenit, që të përkujdeset për djemtë, derisa ta gjente një grua. Ashtu edhe ishte bërë. Meqë Veliu pas një viti ishte martuar sërish, Hyseni ia dërgon djalin e madh, ndërsa dy të vegjlit i ndalë në Rogoçicë, të cilët qëndrojnë 7 vjet.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore (LDB) Veliu kishte punuar gardian në një burg shqiptar. Ishte i arsyeshëm dhe „llogaritë“ i bënte gjithmonë me kokën e vet. Derisa Veliu ishte në krye të detyrës, kokë më vete, i jep shansin një partizani që të arratiset nga burgu. Për eprorët e burgut kosovari Veli Kryeziu njihej si njeri trim, inteligjent, por edhe kokëfortë. Ata e kishin të qartë se lirimin e partizanit të burgosur mund ta kishte bërë vetëm Veliu. Për këtë vepër ai dënohet me burg. Veliu aspak nuk ishte penduar për veprimin e bërë. Njeriu që lufton për lirinë dhe mirëqenien e popullit të vet nuk guxon të prangoset, aludonte në partizanin e sapoliruar, pavarësisht se nga cili pushtet ai burgoset.
Pas përfundimit të luftës, partizani i liruar nga Veliu zë pozitë të lartë në pushtetin komunist. Një ditë prej ditësh i drejtohet Veliut: -ti më pate liruar nga burgu, çfarë mund të bëj unë tani për ty?
Ishte viti 1948 dhe Veliu kishte kaluar një kohë të gjatë larg fëmijëve.
„Kanë kaluar 7 vjet që nuk i kam parë fëmijët e mi, kështu që unë nuk dua asgjë prej jush përveç që të më jepni leje për të shkuar në Kosovë që t’i marr fëmijët“, kishte shprehur dëshirën Veliu.
Ai ia shkruan një letër me të cilën i mundësohet që të vijë në Kosovë dhe të mundë të qëndrojë tre muaj. Pra, më 1948 Veliu vjen në Kosovë dhe i merr edhe dy fëmijët e tij.
Ndonëse në Kosovën e mbetur me Jugosllavinë kishte ndryshuar situata politike në raport me kohën e emigrimit të Veliut (1921), prapëseprapë ardhja e Veliut ishte me rreziqe. Sidoqoftë, ai niset prej Durrësit në drejtim të Shkupit e Bujanocit për në Rogoçicë. „Në Bujanoc e kishin ndalur shkiet“, rrëfen Mixha Bajram. -„Ne morëm vesh se nuk po e lëshojnë, atëherë Mixha Zylfi urdhëroi djemtë, Vebiun e Sejdiun që të shkojnë e ta marrin në Bujanoc.
Këta shkojnë në Bujanoc, e kërkojnë gjithandej, por nuk e gjejnë, të bindur se shkiet e kanë kthyer Veliun prapa. Kur erdhën në shtëpi, e njoftuan Mixhën Zylfi, i cili u kujtua një moment dhe, meqë ishte një njeri me mendje të „hollë“, u tha djemve: ai e ka nja baxhanak në fshatinTuri dhe duhet të ketë shkuar atje. „Nuk bëhet të shkojë te baxhanaku e të mos vijë këtu“, ia kthen njëri prej këtyre. Mixha Zylfi ishte këmbëngulës, duke thënë se aty duhet të ishte shkuar. – E kemi pasur një fener të mirë, e mbushën me gaz dhe që të dy ata shkuan në Turi. Kur janë shkuar atje e gjejnë Veliun midis odës duke bërë muhabet kokë më kokë me baxhanakun. Të nesërmen në mëngjes janë ngritur dhe janë nisur për në Rogoçicë.
Ne fëmijët dolëm për ta pritur në „Bellovodë“ (te Dheu i Bardhë, nja 7 km larg Rogoçicës).
Edhe pse Veliu lejeqëndrimin e kishte marrë për tre muaj, në ndërkohë kishte ndërruar situata (koha e Informbyrosë) kështu që iku shumë shpejt. Qëndrimin e mëtutjeshëm në Kosovë e shihte rrezik për jetën e tij dhe të fëmijëve. Djemtë nuk dëshironin të ktheheshin sërish në Shqipëri, duke u arsyetuar se janë rritur këtu dhe duan të qëndrojnë këtu, por ai insistoi dhe i mori.
Pastaj që nga viti 1948 e deri më 1990 nuk kemi pasur kurrfarë kontakti me Veliun, pra 42 vjet. Më 1990 unë jam shkuar për vizitë në Shqipëri, por Veliun nuk e kam gjetur gjallë. Ai kishte ndërruar jetë më 20 gusht 1977 (na patën informuar menjëherë me telegram), rrëfen Bajram Hysen Kryeziu.