13.5 C
Kosovo
20/09/2024

Në Muçivërc të Dardanës vazhdon të mbahet turneu tradicional në pingpong

Arkivi

Në kuadër të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në fshatin Muçivërc të komunës së Dardanës/Kamenicës, më 18 shkurt u mbajt edicioni i radhës i turneut tradicional në pingpong, në kujtim të prof. Musah Thaçi.

Siç dihet, ky turne pingpongu tashmë është bërë tradicional dhe organizohet në kujtim të profesorit të fizkulturës, z. Musah Thaçi, i cili, me punën e tij vetëmohuese në shkollën fillore “Metush Krasniqi”, në Roganë të Dardanës ishte frymëzuesi sportiv për shumë gjenerata nxënësish, por edhe model prej një pedagogu sportiv me vlera të larta arsimore e profesionale.

Përderisa niveli i cilësisë së lojës së pingpongut në këtë turne është rritur, shikueshmëria lë akoma për të dëshiruar. Sidoqoftë, 28 garues moshash dhe gjinish të ndryshme garuan në dy tavolina, në tri xhiro, për ta luajtur pastaj edhe ndeshjen finale, ku të pranishëm ishin edhe kryetari i komunës, z. Kadri Rahimaj dhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Rinë Matoshi.

Vlerësimi real i jurisë në përbërje të Afrim Morinës, Agim Avdullahut, Shehat Rudhanit (në njërën tavolinë) dhe Ilmi Spahiut e Rexhep Thaçit (tavolina nr. 2) shtuan besueshmërinë e shikuesve të lojës së pingpongut.

Ndër shikues pati edhe shumë familjarë të prof. Musah Thaçit, të cilët iu falënderuan organizatorëve të këtij turneu tradicional. Në shenjë nderimi për të pranishmit, familjarët  organizuan një drekë me ushqime tradicionale.

Lojën fillestare të turneut e zhvilluan dy ish arsimtarë të Edukatës fizike të fshatit Muçivërc: Ymerzad dhe Sabdullah Thaçi.

Derisa garat preliminare u zhvilluan sipas rregullit me dy sete të fituar, në gjysmëfinale dhe finale fituesit përcaktoheshin pas fitores së tre seteve.

Turneu u zhvillua në lokalet e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “17 Shkurti” në Muçivërc, ku kushtet nuk ishin maksimale për një turne të këtillë, por aktualisht garat po zhvillohen në këto lokale, derisa nuk gjendet ndonjë mundësi më e mirë, sidomos kur në të ardhmen pritet të rritet pjesëmarrja e garuesve.

Vendin e parë në këtë turne e zuri pingpongisti i njohur i Anamoravës, z. Jeton Azizi, të dytin Alma Mehmeti dhe në vendin e tretë u plasua Eduard Shillova.

Mirënjohjet për tre lojtarët më të mirë i dhanë djali i Musah Thaçit, z. Halit Thaçi, drejtoresha për KRS, Rinë Matoshi dhe kryetari i Komunës së Dardanës z. Kadri Rahimaj.

Një mirënjohje nderi, kryetari Rahimaj ia dedikoi familjes së Prof. Musah Thaçit, e cila në vazhdimësi mbështet këtë turne.

Tri vendet e para u shpërblyen me mirënjohje dhe me shpërblim financiar: vendi i parë me 150.- €; vendi i dytë me 100.- € dhe vendi i tretë me 50.- €. Shpërblimet u mbuluan nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e komunës së Dardanës.

Jeton Azizi nga Gjilani, pingpongisti më i mirë i turneut  

Fituesi i vendit të parë në këtë turne pingpongu, z. Jeton Azizi, për Inforogana.com, u shpreh se është tejet falënderues për organizimin e këtij turneu, që, pa dyshim, kontribuon në popullarizimin e këtij sporti në Anamoravë. Përndryshe, Jetoni është trajner i klubit të pingpongut për femra “Drita” në Gjilan, ndërkohë që është edhe drejtor i klubit të pingpongut  për femra “Artana” në Novobërdë. Veç kësaj ai është edhe lojtar i rregullt i klubit të pingpongut “Ahmet Hoxha” në Ferizaj.

Vlen të theksohet se klubi i pingpongut i femrave “Drita” nga Gjilani, tash e gjashtë vjet, vazhdimisht ka zënë vendin e parë në kampionatin e Kosovës.

Jetoni për herën e katërt po merr pjesë në këtë turne dhe vazhdimisht ka zënë

vendin e parë. Disa pingpongistë të komunës së Dardanës e që ishin pjesë e këtij turneu si: Bardh Hoda, Eduard Shillova etj., që tashmë kanë bërë emër në këtë komunë, kanë qenë nxënës të Jetonit. Ai edhe vetë është mësimdhënës, kështu që edhe ka ndërtuar ura bashkëpunimi me pedagogët sportivë të komunës së Dardanës. (xh.k.)

 

 

 

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja