-0.5 C
Kosovo
23/11/2024

Në Pejë u shënua 33-vjetori i themelimit të SHKSHSH-së

Arkivi

Në organizim të Qendrës për Art, Shkencë dhe Kulturë të Republikës së Kosovës, sot, në Pejë, në hapësirat e objektit të trashëgimisë historike të hamamit të Haxhi Beut,  është shënuar 33-vjetori i themelimit të Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga trojet e veta.

Këtë përvjetor e begatuan edhe dy aktivitete të tjera: Përurimi i librit me poezi “Përjetësisht në dashuri” të autorit Jahja Lluka, dhe ekspozita e pikturave të piktorit Idriz Berisha XHIXHI.

Për SHKSHSH-në folën themeluesit e saj, z. Reshat Nurboja e Jahja Lluka.

Duke folur me nostalgji për nismën e veprimtarisë së SHKSHSH-së z. Nurboja përmendi disa nga nismëtarët e kësaj shoqate, duke veçuar veprimtarin e pandalshëm z. Jahja Lluka i cili i dha frymë e zhvillim shoqatës, por edhe frymëzoi të gjithë aktorët e saj. “Vetëm duke iu falënderuar vigjilencës dhe dashurisë së madhe të Jahja Llukës , kjo shoqatë arriti të mbijetojë tash e 33 vjet” tha në ekspozenë e tij, z. Reshat Nurboja.

Jahja Lluka duke iu referuar SHKSHSH-së tha se “migrimi është një plagë e kahmotshme e shqiptarëve; okupatori ynë shekullor ka bërë projekte të veçanta për asgjësimin e popullit shqiptar për arsye se iu kanë dashtë këto toka dhe nuk kanë mundur ta durojnë këtu shqiptarin, përveç atyre që kanë qenë luajal ndaj Serbisë. Serbët kanë bërë projekte të shumta që nga viti 1844 nga Garashanini e deri para luftës së fundit që ishin gjithsej 37 projekte. Projekti i fundit “Patkoi” që është aprovuar në manastirin e Graçanicës me bekimin e priftërinjve dhe të ish-udhëheqësit të Ripërtërirjes Serbe, kriminelit Sheshel ka qenë projekt për t’i përcjellë shqiptarët jashtë kufijve, dhe kur Milosheviqi mendoi se gjithçka ka marrë fund, me hapjen e dy portave – në Kukës dhe në Bllace, fal djemve më të mirë të Kosovës, të rreshtuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ky projekt dështoi dhe këta djem ia sollën lirinë Kosovës”, tha, mes tjerash, në fjalën e tij z. Jahja Lluka.

Në vazhdim z. Lluka shprehu brengën shumë evidente, por që qeveritë tona nuk po e shohin, e ajo është se Kosova po zbrazet; në dhjetëvjetëshin e fundit, sipas statistikave të Eurostatit nga trojet shqiptare janë shpërngulur një milion e pesëqind mijë shqiptarë. Brengosëse është sidomos shpërngulja e pjesës kufitare me Serbinë.

Jahja Lluka, në këtë përvjetor të Shoqatës edhe njëherë falënderoi (post mortem) për punën vetëmohuese të veprimtarëve dhe intelektualëve që i dhanë jetë për vite të tëra shoqatës, siç ishin: Pajazit Nushi, Esat Rizvanolli, Ekrem Kallaba, Ekrem Vatovci dhe shumë të tjerë që ishin edhe ajka e shkencës së Kosovës.

Për rëndësinë e shoqatës folën Rexhep Memedi nga Shkupi, mulla Xhevat Kryeziu etj.

Me këtë rast, kryetari i SHKSHSH-së Jahja Lluka i dha çmimin “Hasan Prishtina” themeluesit dhe veprimtarit Reshat Nurboja.

 

Vazhdimi i këtij manifestimi iu kushtua veprës poetike të Jahja Llukës “Përjetësisht në dashuri”, për të cilën foli redaktori i librit z. Prend Buzhala, i cili për të pranishmit deklamoi pjesë lirike nga poezitë e z. Lluka, duke e ndërlidhur këtë përurim edhe rastësinë e tij me ditën e Shën Valentinit. Ai, po ashtu trajtoi temën e ndërlidhur me këtë libër e cila përqendrohet në përjetësinë e dashurisë si mit i jetës së përditshme.

Në pjesën e tretë të këtij aktiviteti kulturor të pranishmit mundën ta vizitojnë ekspozitën figurative të piktorit Idriz Berisha XHIXHI, ku përveç autorit folën edhe Ismet Krasniqi Lala, Naska H. Gorani, Haxhi Kastrati etj.

Mysafirët e shumtë që vinin nga të gjitha trojet shqiptare u argëtuan edhe me pika muzikore në interpretim të rapsodit Tahir Seferi nga Shkupi etj.

Të pranishmit u njohën gjithashtu edhe me hapësirat e sapoinauguruara të hamamit të Haxhi Beut, i ndërtuar në periudhën kur Peja ishte në kuadër të Sanxhakut të Dukagjinasve  (1462-1485) e që pritet të jetë një pikë e rëndësishme turistike për Pejën.(xh.k.)

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja