Rrëfimi i Hamdi Hotit (Moçarit) lidhur me incidentin në Berivojcë, më 1932.
Koretin, 24 nëntor 2006 (regjistroi: Xhevdet Kallaba)
Hamdi Hoti 1913 – 2011
“I forti të rrahë e s’të lë të qash”! Këtë frazeologji e dëgjoja shpesh në oda burrash. Të më rrahë ndokush edhe mundet, por nuk mund të ma ndalojë që të qaj, mendoja më vete, sa herë që e dëgjoja këtë thënie. Si fëmijë shkoja shpesh te dajat; aty vinin fqinjët dhe shtrohej muhabeti gjerë e gjatë. Më vonë, po te dajat e pata dëgjuar një bisedë që pasoi pas frazeologjisë “I forti të rrahë e s’të lë të qash”. E pati rrëfyer Hamdi Hoti, që shpesh i thonin edhe Hamdi Moçari, sepse familja e tij kishte jetuar një kohë në fshatin Moçar, afër Berivojcës. Madje, vetë Hamdiu kishte lindur, më 1913, në Moçar e kishte jetuar aty deri më 1960.
Rasim Shabani 1916 – 2008
Shumë vite më vonë Hamdiu, njësoj sikur edhe daja im Rasimi ishin plakur, por muhebetin e mbanin vazhdueshëm të freskët, me tema të kohës së sotme, por merrnin shembuj edhe nga kohë të mëhershme. Shkonin te njëri-tjetri sikur të ishin vëllezër. Me dekada kjo vajtje-ardhje e tyre nuk u bezdisej, madje as familjarëve të tyre, të cilët duhej të shërbenin. Ndejën e kishin bërë pothuajse ritual ditor. Ishin disa familje që, sidomos në vjeshtën e vonë dhe gjatë dimrit, përnatë ndërronin konakët, sa te rasimovit, hamdiovit, hazirovit, sejdiovit, kadriovit e kështu me radhë; ishin kryesisht familje ardhacakësh nga vende të ndryshme (Krilevë, Moçar, Krenidell, Svircë, Gjyrishec etj., në Koretin. Aty rrëfeheshin edhe historira të ndryshme, nga kohë të ndryshme. Te dajat, më shpesh e takoja bacën Hamdi. Edhe në moshë ishin me një diferencë prej tre-katër vitesh. Si njëri, po ashtu edhe tjetri e kishin mbijetuar dhe përjetuar Luftën e Dytë Botërore, si dhe luftën e vitit 1999. Padrejtësitë e pushtetit serbojugosllav te të dy këta pleq, që tashmë ishin në dekadën e dhjetë të jetës, kishin lënë vrragë të mëdha. Në retrospektivën e kujtesës kishin shumëçka për të rrëfyer; Rasimi kishte mbijetuar edhe masakrën e Tivarit.
Në kujtesën e tyre ishin shlyer shumë përjetime të ndrydhura, por gjatë shpalosjes së situatave të përjetuara nga njëri ose tjetri, kthenin kujtesën. Sapo ra fjala e pogromeve serbe mbi shqiptarët dhe shpërnguljet e viteve të tridhjeta për në Turqi, Hamdiut mendja i shkoi te një ngjarje e vitit 1932, në Berivojcë.
Në çast nxora nga xhepi një laps e një fletë për të shënuar.
“Eh, more burra, kurrë s’më hiqet nga mendja një situatë e rëndë që e kisha përjetuar në Berivojcë”, tërhoqi vëmendjen Xha Hamdiu dhe sikur kërkoi pak më shumë qetësi.
“Fshati ishte i banuar me shqiptarë, por kishte edhe serbë”. Kështu, Xha Hamdiu filloi me rrëfimin e asaj ngjarjeje që, me gjasë, duhet ta kishte përsëritur edhe ndonjë herë tjetër në rrethe të ngushta familjare. Fjala ishte për metodat e nxitjes për shpërngulje të popullatës shqiptare nga ana e serbëve prej Berivojce për në Turqi.
Pasi fashiti zemërimin e krijuar të atypëratyshëm dhe përshkoi lëkurën e duarve për t’i qetësuar mornicat që kishin marrë trajtën e kokrrizave të vogla, mori frymë thellë, si t’i duhej ta kalonte një kodër; në moment vetullat e trasha strehë mbi sytë e Xha Hamdiut bënin lëvizje, sikur të ecnin shkallëve të notave muzikore. Pasiqë kafshoi fort buzën e poshtme, lagu letrën e cigarës të cilën e mbështolli e ia dha zjarrin, filloi rrëfimin.
Ishte viti 1932. Gratë nuk kishin kushte për larjen e rrobave në shtëpi, prandaj ato i merrnin me një sepet a shportë dhe shkonin te lumi. Bëheshin nga tri-katër gra, sepse atje edhe llafosnin mesvete. Në breglumë gjenin një gur rreth katërdhjetë centimetra me një syprinë të rrafshët, e vendosnin skaj një pjese të lumit të jazitur dhe fillonin t’i lagnin teshat, e pastaj t’i rrihnin me një dërrasë (nga ndikimi i kohës i thonin edhe serbisht perajkë – larëse). Rrobat i bënin me sapun, i lagnin, i rrihnin me atë dërrasë dhe sërish i shpërlanin. Në kohë me mot të mirë ato kalonin nga dy-tri orë.
Po atë verë, këshilltari (odbori) i fshatit Berivojcë, i quajtur Trajko, e urdhëroi njëfarë Zhivkon e Moçarit të Poshtëm, që të zhvishej cullak dhe të dilte te lumi, në vendin ku gratë shqiptare lanin rrobat. Kaloi dy-tri herë andejpari që prania e tij të vërehej sa më shumë. Kur e panë gratë atë njeri, u tmerruan. Ndërprenë përnjëherë larjen e teshave dhe shkuan në shtëpi. U kishin treguar burrave të tyre, të cilët shpejt ishin tubuar dhe kishin marrë një vendim që ta rrihnin Zhivkon. Këtë e kishin bërë qysh atë mbrëmje. Ky lajm i kishte egërsuar serbët lokalë, të cilët menjëherë e kishin informuar kryetarin e Kamenicës, njëfarë Dushanin. Pushteti ishte i tyre, kështu që nuk e kishin problem të iniconin skandale të tilla. Me urdhërin e Dushanit, të nesërmen, arrestohen ata shqiptarë dhe dërgohen në stacionin e milicisë në Hogosht dhe atje dërrmohen me dajak nga komandiri i milicisë – Peneva, dhe dy xhandarët: Gjura dhe Stanisha. Nuk ishte hera e parë që serbët e Berivojcës, dhe jo vetëm, provokonin shqiptarët, të cilët i quanin ose “shiptari” ose “arnauti”.
Pasiqë shqiptarët ishin torturuar në stacionin e milicisë në Hogosht sërish mblidhen disa burra shqiptarë të Berivojcës dhe, nën udhëheqjen e pasanikut Sahit Aga (Berivojca) vendosin ta lëshojnë vendin, pra, të shiten e të shkojnë për në Turqi. Të detyruar që ta shisnin pasurinë e tyre me një çmim pesëfish më të lirë sesa çmimi real i kohës, bënë para sa për t’i rregulluar pasaportat dhe dokumentet për viza (visika). Xhamia e fshatit kishte mbetur në mëshirën e kohës dhe të serbëve të Berivojcës. Ç’është e vërteta me materialin e xhamisë së rrënuar banorët e fshatit Muçivërc kishin ndërtuar xhaminë në fshatin e vet.
Mallkimi i nënave dhe grave shqiptare të Berivojcës kishte shkuar në qiell. “Familja e atij “odborit” Trajko, që atë kohë kishte njëmbëdhjetë meshkuj, sot ka vetëm një mashkull, njëfarë Rankon”, kishte rrëfyer Xha Hamdiu në fundnëntorin e vitit 2006. (xhk)
- Advertisement -
- Advertisement -