Në kuadër të Manifestimit “Flaka e Janarit” 2023, në lokalet e bibliotekës së qytetit “Fan S. Noli” në Gjilan u bë përurimi i librit të Dr. Zijadin Hasanit “Rrokjesorë magjikë 4×4”. Paraprakisht u mbajtën garat në enigmatikë, në dy gjini: Zgjihje dhe përpilim të enigmave.
Enigmatë nga qytete të ndryshme të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Luginës së Preshevës, më 28 janar u bënë pjesë e manifestimit “Flaka e Janarit 2023”, në kuadër të të cilit u organizuan garat në enigmatikë si dhe u përurua libri i dr. Zijadin Hasanit me titull “Rrokjesorë magjikë 4×4”. Garat u organizuan nga shoqata e enigmatëve “Ndre Mjeda” dhe Redaksia e resvistës së enigmatëve “Horizonti” nga Gjilani, por në to morën pjesë garues nga qytete të ndryshme të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Luginës së Preshevës. Garuesi më i ri ishte Lis Thaçi (10 vjeç) nga Gjilani.
Garat u zhvilluan në dy gjini:
– Zgjidhje të enigmës ku u përfshinë: zgjidhja e fjalëkryqit skandinav, sudoku, rebusit dhe anagramit; dhe – Përpilimi i enigmës, duke përfshirë përpilimin e një fjalëkryqi, një anagrami dhe një rebusi.
Komisioni për vlerësim në përbërje të Shemsedin Kryeziut (kryetar i shoqatës së enigmatëve «Ndre Mjeda), Ismet Shkodrës dhe Nexhat Hajrullahut vlerësoi punimet në gjininë: zgjidhjet e enigmave, ndërkaq vlerësimin në përpilimin e enigmave të garuesve e bëri komisioni në përbërje të: Mensur Mamutit, Skender Tullumit dhe Enver Hajrullahut.
Emrat e garuesve më të mirë do të publikohen dhe do të shpërblehen në mbrëmjen përfundimtare “gala” që do të mbahet në kuadër të “Flakës së Janarit”.
Libri i parë në Kosovë “Rrokjesorë magjikë 4×4”
Tashmë, lirisht, mund të themi se libri “Rrokjesorë magjikë 4×4” është i pari i këtiij lloji në Kosovë i realizuar nga enigmati dr. Zijadin Hasani. Libri përmban 399 rrokjesorë magjikë 4×4.
Për vlerat e këtij libri referuan: redaktori i librit, z. Xhemë Karadaku, prof. dr. Faik Shkodra, z. Mensur Mamuti, ndërkaq me iniciativën e moderatorit Rexhep Hasani për të debatuar rreth librit, në veçanti, si dhe zhvillimit të enigmatikës në Kosovë, në përgjithësi, me diskutimet e tyre kontribuuan edhe Xhevdet Kallaba, Avdush Canaj, Xhavit Hajdari, Skender Tullumi, Ekrem Krasniqi, Shemsedin Kryeziu, Ismail Gagica, Muhamet Halili, Xhelal Salihu etj.
Prof. Dr. Faik Shkodra, duke e komplimentuar autorin Hasani për këtë vepër të rrallë në krijimtarinë tonë, vuri në dukje se në këtë libër përmenden krijus që nga Homeri e deri te krijuesit tanë bashkëkohorë. Prof. Shkodra cilësoi autorin Hasani edhe si themelues të shoqatës së enigmatëve të Gjilanit si dhe editor të revistës Horizonti në kohë bukur të vështira për krijimtari. Në vazhdim ai tha se rrokjesorët magjikë 4×4 lidhen shumë me problemet matematikore logjike, me problemet e të menduarit dhe zhvillimit të imagjinatës.
Dashamirësi i enigmatikës, enigmati Ismail Gagica dha një historik të zhvillimit të enigmatikës në Kosovë, duke vënë në pah rolin e gazetës Rilindja, e cila për herë të parë kishte filluar me botimin e fjalëkryqit në faqet e saj qysh më 1 mars të vitit 1953, që shënohet edhe si dita e parë e fjalëkryqit shqip.
Muhamet Halili në rolin e kujdestarit ditor të manifestimit të Flakës së Janarit 2023, por edhe si enigmat zhvillmin e enigmatikës e solli edhe në rrafshin e zhvillimit të teknologjisë moderne, që detyrimisht imponon që formatin e enigmatikës ta bashkëdyzojë me zhvillimet teknologjike dhe t’i ofrohet lexuesit edhe ky format i enigmatikës. Më tutje, z. Halili mendon se brumi dhe vendi ku mund të ketë zhvillim më të hovshëm enigmatika, janë institucionet shkollore. Kështu, enigmatët dhe shoqatat e tyre duhet patjetër t’i synojnë kurikulet arsimore duke e freskuar mundësinë e mësimzënies e sidomos të vlerësimit të saj edhe me forma të reja përmes formatit të enigmatikës.
Pra, i gjithë debati rreth librit dhe enigmatikës përgjithësisht ishte në frymën e avancimit të kësaj fushe të krijimtarisë.
Në fund autori i librit, dr. Zijadin Hasani falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje dhe për kontribut në përurimin e tij, si dhe pjesëmarrjen e garuesve-enigmatë në garat e organizuara me rastin e manifestimit të Flakës së Janarit 2023. Ai po ashtu bëri të ditur se botimin e këtij libri e sponzoroi Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Gjilanit për të cilën shpreh falënderim. Dr. Hasani apeloi për një bashkëpunim më të ngjeshur të enigmatëve me krijuesit letrarë, të cilët, po ashtu, mund të jenë shumë frytdhënës në këtë fushë të krijimtarisë, dukuri kjo tejet e njohur te popujt tjerë.(Xh.K.)