Ani pse kryesisht angazhohet si trajnere në Klubin e Futbollit “2 Korriku”, Florentina Kallaba nuk lë pas dore për asnjë moment karrierën e saj si gjyqtare e futsallit. Për këtë dëshmojnë sukseset e saj të arritura vit pas viti, jo vetëm brenda shtetit të Kosovës, por edhe jashtë tij.
Sot, Kallaba ka arritur një sukses tjetër, teksa është pajisur sërish me stemë të FIFA-s si gjyqtare e futsallit, stemë kjo të cilën e ka pranuar nga i pari i institucionit më të rëndësishëm në vend për futboll, Agim Ademi, dhe nga Kryetari i Komisionit të Gjyqtarëve, Përparim Hasani.
“Tina”, pasi që u pajis me stemë të re, u shpreh shumë e lumtur që puna po i shpërblehet sërish dhe tha se në vijim atë do ta pres punë edhe më e madhe, për të shkuar drejt sukseseve edhe më të mëdha.
Për suksesin e Florentinës, pati disa fjalë edhe nga KF “2 Korriku”, pjesëtarët e të cilit përgëzuan “Tinën” për suksesin e arritur dhe i uruan asaj suksese tjera në të ardhmen.
Huazuar nga faqja zyrtare «FC 2 Korriku»