Në kuadër të manifestimit «Flaka e Janarit» në Dardanë/Kamenicë, në mbrëmjen e 19 janarit 2023, Orkestra frymore e Filarmonisë së Kosovës nën drejtimin e dirigjentëve: Baki Jashari, Lirjona Sylejmani dhe Hajrullah Syla dha një program të begatë muzikor.
Duke i përshëndetur pjesëmarrësit e shu mtë në sallën e kulturës “Isa Kastrati” në Kamenicë, dirigjenti Baki Jashari mysafirëve të këtij programi iu drejtua me fjalët: “Më lejoni që ta falënderoj komunën tuaj për ftesën që na ka bërë. Jemi për herë të parë mes jush dhe ju dëshiroj mirëseardhje në koncertin e sontëm, që kësaj radhe do të realizohet nga orkestra frymore e Filarmonisë së Kosovës. Ndoshta nuk e dini, pra, Filarmonia e Kosovës është institucion shumë më i madh; kur jemi të kompletuar jemi rreth 120 performues, duke llogaritur, jo vetëm seksionin e harkorëve e të frmorëve që po i shihni këtu, por edhe korin e Filarmonisë dhe natyrisht edhe bashkëpunëtorët që gjithmonë janë pjesë e aktiviteteve tona koncertale. Përndryshe ne jemi të nderuar që do të performojmë për herë të parapara jush, por besoj jo edhe për herë të fundit këtu mes jush. Shpresoj që nën tingujt e progrmait të sontëm sadopak do të sjellim ngorhtësi. Programi i sontëm është i ndarë në dy pjesë ku në pjesën e parë do të interpretojmë disa vepra atraktive, duke u bazuar nga literatura botërore për muzikë frymore, ndërsa në pjesën e dytë kemi rezervuar disa pika muzikore që janë shqiptare. Pra, janë përpunime dhe këngë tona, përmes të cilave tregojmë se kemi traditë në këtë lloj muzike”.
Nga opusi kombëtar u ekzekutuan këngët: Pranvera filloi me ardhë, Hapi sytë e zezë, O vendi im, Baresha etj. Kënduan: Kreshnik Aliçkaj, Liridon Sadriu, Shkumbin Bajraktari e Adelina Paloja.
Pjesëmarrësit në sallë u ndien tejet të kënaqur me paraqitjen e filarmonisë që ishte edhe një shpresë që programe të këtilla do t’i ofrohen kësaj pjese të Kosovës edhe në të ardhmen. (xh.k.)