15.5 C
Kosovo
19/09/2024

Sporti dhe miqësitë e reja

Arkivi

Një grup belgësh prej 7 vetash, të kryesuar nga Musa Hoti, me banim në Belgjikë, qëndruan dy ditë (31 tetor dhe 1 nëntor 2015) në Roganë. Qëllimi kryesor i tyre ishte një vizitë kthyese atletëve të Roganës, të cilët, sivjet, në muajin maj vizituan Belgjikën, jo për turizëm, por në cilësinë e pjesëmarrësve në një miting të atletikës që u mbajt në Ordegem dhe Lokeren të Belgjikës.

Xhevdet Kallaba: Nga Ditari im, 1 nëntor 2015

Gjithçka kishte filluar në vitin 2013, derisa atleti roganas  Zijadin Kryeziu po vraponte në një maratonë rrugëve të Prishtinës. Prej nga vini, e kishte pyetur Zijadini atletin që po e përcillte hap pas hapi. – Jam nga Belgjika dhe quhem Sergjo, ishte përgjigjur atleti belg, në fytyrën e të cilitn shprehej, sa një lakmi për tempon e vrapimit të Zijadinit, po aq edhe një frikë për konkurrencë serioze në atë maratonë. Sidoqoftë, që të dy shkonin krahas njëri-tjetrit dhe hera-herës bënin ndonjë pyetje. Kishin edhe shumë kilometra deri në cak, kështu që ishte tejet herët për të tentuar për krijim distance, mesveti, ndonëse ishin larguar paksa nga grupi tjetër. Garimi ishte konkurrues, por biseda fare miqësore. Në kilometrin e fundit që të dy kishin shpejtuar tempon, por Zijadini ishte dëshmuar për kondicion më të mirë dhe e kishte mundur belgun. Pas mitingut, Sergjo ia kishte shtrirë dorën e fitimit Zijadinit dhe kishte kërkuar që të njiheshin më thellë me njëri-tjetrin. Ashtu dhe ishte bërë. Si nikoqir i garave që ishte, Zijadinit i kishte rënë hise që ta ftonte për një pije. Serioziteti dhe vullneti i Zijadinit për atletikë i kishte bërë shumë përshtypje Segjos. Për këtë njohje ai, me të kthyer në Belgjikë, e kishte njoftuar mikun e tij shqiptar nga Kosova, z. Musa Hotin, me prejardhje nga Polaci i Skenderajt.

Ndonëse ende pa u pranuar Federata e Atletikës e Kosovës në ndonjë asociacion ndërkombëtar, Zijadini vazhdimisht përcillte orarët e mitingjeve të atletikës në rajon, Evropë e më gjerë. Kështu, derisa po shikonte kalendarin e garave në atletikë për vitin 2014 Zijadini kishte piketuar një miting në Belgjikë. Mendja i kishte shkuar menjëherë te Sergjo dhe Musa. Pa vonuar, kishte kontaktuar Musa Hotin, i cili, menjëherë i kishte dhënë dritën e gjelbër se do të angazhohej që dikush nga Kosova të merrte pjesë në miting. Ishte afat i shkurtër dhe, duke pasur parasysh që Kosova, përkundër premtimeve të pareshtura të politikanëve, ende nuk ishte përfshirë në shtetet me liberalizim vizash, në mitingun e vitit 2014 mori pjesë vetëm Astrit Kryeziu nga KA „Rogana“, nga Rogana. Shpenzimet e udhëtimit për në Belgjikë i kishte marrë përsipër Federata e Atletikës e Kosovës, kurse për strehimin dhe shpenzimet tjera ishte përkujdesur Musa Hoti me miqtë e tij belgë. Dhe, asnjëra palë nuk ishin zhgënjyer, ngase Astriti, në këtë miting, në vrapimin prej 800 m theu rekordin shumëvjeçar (rreth 25 vjet) me kohë 1‘49“10 (një minutë e dyzet e nëntë sekonda e dhjetë të qindtat).

Në këtë miting Astriti krijoi një „pistë“ të re garimi në Belgjikë. Miqtë belgë të Musa Hotit e të Zijadin Kryeziut u fascinuan me rezultatin e Astritit, dhe kishin parandjenja se edhe atletët tjerë (të cilët për shkak të vizave të udhëtimit nuk kishin marrë pjesë) do të shkëlqenin njësoj me rezultate të favorshme. Prandaj, për Mitingun e vitit 2015, që do të mbahej në Ordegem (më 23 dhe 31 maj 2015) dhe në Lokeren të Belgjikës (më 25 maj 2015), do të interesoheshin me kohë. Ashtu edhe ishte bërë. Po në këtë vit Musa Hoti me dy belgë (Bartin dhe Sigritin) kishin vizituar KA „Rogana“ dhe ishin dakorduar që në mitingun e vitit 2015 të merrnin pjesë 4 garues.

Ftesat ishin organizuar përmes Klubit të Atletikës „Houtland“  të qytetit Torhout. Për në Belgjikë do të udhëtojnë trajneri Zijadin Kryeziu me atletët: Astrit, Vijona dhe Granit Kryeziu si dhe Musa Hajdari, dhe shtegu i tyre do të jetë 800 m, përkatësisht Vijona edhe në shtegun prej 400 m. Biletat e udhëtimit i kishte paguar Federata e Atletikës e Kosovës, ndërkaq të gjitha shpenziet tjera i kishin bartur Musa Hoti me shokët belgë Bart Sanders, Dries Mestdalgh dhe Serge Deblauwe.

Ajo çka ishte më qenësore, shpjegon trajneri Zijadin Kryeziu, gjatë garave, atletët kanë performuar shkëlqyeshëm, duke thyer dy rekorde të Kosovës dhe një mbarëkombëtar. Astriti kishte thyer rekordin kombëtar në 800 m me rezultat 1‘48“78 të qindtat, kurse Vijona Kryeziu, që ishte atletja më e re në konkurrencë, kishte mahnitur të pransihmit; me vetëm 17 vjet, sa kishte Vijona, u plasua në vendin e 6-të. Ishte e vetmja juniore në mesin e senioreve dhe arriti rekordin shtetëror dhe personal të saj në 400 m, me shpejtësi prej 54 sekonda e 64 të qindtat. Me këtë rezultat ajo arriti të radhitet në mesin e 12 atleteve më të mira të Evropës. Po ashtu arriti edhe normën evropiane për kategorinë U23.

Garuesi tjetër Musa Hajdari, po ashtu, tregoi një performancë jashtëzakonisht të mirë ku ishte vetëm për 1 të qindten prapa rezultatit të Astritit. Rezultati i tij ishte 1‘48“79 të qindtat. Organizatori u kishte dhënë një hapësirë të madhe garuesve shqiptarë; komentatori vazhdimisht zënte në gojë garuesit kosovarë, duke cekur se atletët kosovarë për herë të parë po vraponin në një miting të tillë në Belgjikë, si dhe duke potencuar se ata po merrnin pjesë për herë të parë në Belgjikë, sidomos për faktin se ende nuk ishin të pranuar me të drejta të plota në Federatën Botërore të Atletikës (IAAF).  Më vonë kishte pasuar pranimi në IAAF dhe në EAAF (Federata evropiane e atletikës për amatorë).

KA „Houtland“ ishte  shumë mikpritës dhe i hapur për mysafirët nga Kosova. Atletët e të dyja klubeve kishin bërë disa stërvitje të përbashkëta gjatë atyre ditëve. Ishin mahnitur me performancën e atletëve roganas, duke pasur parasysh kushtet e veprimit në Kosovë dhe duke krahasur me kushtet e tyre në Belgjikë.

Mikpritësit u përqendruan tërësisht për suksesin e roganasve; nuk i lanë asnjëherë vetë; i shoqëruan edhe në stërvitje edhe pas tyre, si dhe në gara, duke i transportuar me dhjetëra kilometra larg. I gjithë angazhimi i tyre, natyrisht, ishte gratis.

Roganasit ishin familjarizuar tejmase me këta belgë. Strehimi ushqimi etj. ishte nga ata. Bile, Driesi kishte lënë në dispozicion shtëpinë e tij për atletët roganas, pa ndonjë kundërshpërblim. Ata ishin krejtësisht të fokusuar tek atletët nga Rogana. Ishte vullneti i madh dhe suksesi i KA „Rogana“ që nxiti Musën dhe shokët e tij belgë që, pa ndonjë interes personal, t‘i ndihmojnë këta të rinj e me këtë edhe atletikën kosovare.

Trajneri Kryeziu është i bindur se ndonjëri nga atletët roganas do të marrë pjesë në Kampionatin evropian, në qershor 2016, në Amsterdam të Holandës. Pastaj, njësoj, Kosova do të prezantohet me një ose dy garues edhe në Lojërat Olimpike në Rio de Zhaneiro të Brazilit në gusht 2017, si dhe në Kampionatin botëror për juniorë, në Kazan të Rusisë ku pritet të marrë pjesë Vijona Kryeziu e cila ka normën e siguruar në disiplinën 400 m.

Falë mikpritjes së belgëve në Kosovë 3-4 atletët më të mirë nga Kosova do të marrin pjesë edhe në mitingjet e vitit 2016 sikur ato të sivjetshmet në Belgjikë. Vlen të ceket se këto mitingje janë jashtëzakonisht të forta ku ka pjesëmarrje të madhe (të fortë). Kryekëput në këto mitingje shkohet për të siguruar norma. Pra, secili garues lufton për normë e jo për ndonjë vend. Aty vijnë atletë nga të gjitha kontinentet.

 

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja