Ndonëse loja e futbollit në fshatin Roganë njihej edhe para Luftës së Dytë botërore,kur fëmijët në vend të topit prej lëkure apo „llastëku“ luanin me toptha të punuar prej çimeve të bagëtive, në vitet e 70-ta, atëherë kur futbolli kishte arritur një popullaritet në Evropë dhe në botë, dhe kur mjetet audiovizuele shpërndanin popullaritetin e futbollit gjithandej Gadishullit Balkanik, në Roganë dalloheshin telentet e reja të futbollit. Atëbotë, edukatorët e sportit pranë shkollës së fshatit synonin një zhvillim të gjithmbarshëm fizik të nxënësve, kështu që investimi vetëm në futboll do të ishte i njëanshëm. Sidoqoftë, disa të rinj roganas shprehnin një entuziazëm më të theksuar ndaj lojës së futbollit dhe gjithnjë e më tepër insistonin që kjo lojë të zhvillohet në mënyrë më institucionale. Kështu pra, më 1980, në Roganë themelohet klubi i parë i futbollit i cili pagëzohet „Bujku“ dhe për kryetar të parë emërohet Sylejman Kryeziu, kurse për trajner Nusret Kallaba. Padyshim, raganasit do të jenë mirënjohës ndaj doajenit të futbollit, z. Nusret Kallaba, që për vite të tëra udhëhoqi Klubin e Futbollit „Bujku“ i cili për afro 20 vjet ishte sinonim i futbollit të Roganës dhe fshatrave përreth, por edhe më gjerë, duke prezentuar, jo vetëm lojëra të shkëlqyera e korrekte, por edhe edukatë të shëndoshë sportive dhe pozitë të mirë në tabelat e futbollit të nivelit përkatës komunal dhe regjional. „Më 1996 Forumi Rinor i LDK-së pati organizuar gara futbollistike dhe në mesin e shumë skuadrave komunale konkurroi edhe KF„Bujku“.
Me lojëra tejet korrekte, por edhe me një profesionalizëm arritëm të dalim fitues në garat komunale e regjionale si dhe zumë vendin e parë në Kosovë, duke mposhtur skuadra me emër të njohur nga gjithë Kosova“, i kujton sot ato suksese trajneri Nusret Kallaba. Duke mos pasur mundësi që futbollistët roganas të merren profesionalisht me futboll, ata perspektivën e tyre e shihnin në shkollimin universitar, kështu që, pa dashjen e tyre, edhe e ndërprenin aktivitetin e vet, gjithmonë duke ua liruar vendin gjeneratave pasuese. Në këtë mënyrë KF „Bujku“ vazhdimisht rigjenerohej nga lojtarë të rinj, të cilët, me një devotshmëri të madhe i udhëhiqte trajneri Nusret Kallaba. Lufta e fundit e vitit 1999 shpartalloi KF „Bujku“, por jo edhe vullnetin e vazhdueshëm të trajnerit të palodhshëm, z. Kallaba. Ai në vitin 2003 kishte themeluar shkollën e futbollit e cila ishte paralele e ndarë e KF „Drita“ nga Gjilani. Që të mos i mbetemi borxh historikut të futbollit, por edhe entuziastit tjetër të futbollit z. Jetullah Kallaba, i cili po ashtu kishte themeluar një shkollë të futbollit në vitin 1994 për ta shuar në prag të luftës, si pasojë e emigrimit të tij në SHBA, po cekim se rrita e futbollit është përcjellë me rritën e vet fshatit Roganë.
Të kthehemi tek 2003-ta. Atë vit, kur batica e luftës po fashitej, ndonëse roganasit ende ishin nën presionin e traumave nga lufta në Kosovë dhe në Malësinë e Bujanocit, të rinjtë roganasë, por edhe prindërit, të yshtur nga inercioni i një edukate sportive, me theks të veçantë në lojën e futbollit,insistonin për themelimin e një shkolle të futbollit. Sigurisht që për zgjedhjen e trajnerit askush nuk hamendej,sepse ai tashmë e kishte emrin e mbiemrin, të cilin e kishte skalitur për vite të tëra. Ky ishte pra Nusret Kallaba, një personalitet i dëshmuar në futbollin roganas. Dhe, më 1 mars 2003 në Roganë themelohet Shkolla e futbollit e cila do të veprojë në kuadër të KF „Drita“ nga Gjilani e që do të mbikëqyrej nga Kemajl Halimi, koordinator i shkollës së futbollit dhe natyrisht, nga trajneri Nusret Kallaba, e që do të ndihmohej sipas nevojës edhe nga trajneri plotësues Agron Kastrati.
S’do mend, një përkrahje të pa rezervë, kësaj shkolle ia kishte dhënë edhe vetë kryetari i KF „Drita“ të Gjilanit, z. Selami Osmani i cili kishte mbështetur rregullimin e infrastrukturës si dhe kishte vënë në dispozicion autoritetin e vet, duke përzgjedhur lojtarë nga Rogana për garat e pionierëve të Gjilanit nëpër turne të ndryshëm tradicionalë, si p.sh. ai i shkollës së futbollit „Liria“ në Prizren, i mbajtur në vitin 2004.
Shkolla e futbollit „Drita“, paralelja në Roganë, aktivitetin e vet e zhvillon me nxënës grupmoshash të ndryshme: grupmoshën e pionierëve të rinj prej 29 nxënësish dhe pionierëve të moshuar prej 27 nxënësish.
Duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj gazete, e cila synon të jetë dëshmi e kohës, atëherë po japim edhe emrat e nxënësve të dy grupmoshave me të cilat punoi kjo shkollë.
Pionierët e rinj: Flakron Spahiu, Blend Kallaba, Arbër Kryeziu, Flakron Basha, Faton Hashani, Erduan Kastrati, Granit Azizi, Taulant Kryeziu, Hekuran Kryeziu, Leurat Basha, Fitim Thaqi, Florent Kallaba, Berat Ramadani, Besart Rrudhani, Taulant Kallaba, Valmir Rrudhani, Artan Basha, Miran Kryeziu, Riad Kastrati, Valmir Abdullahu, Fidan Sejdiu, Visar Kastrati, Rinor Kastrati, Festim Kryeziu, Leart Kryziu, Arian Kryeziu, Flamur Kastrati, Durim Baxhuku dhe Engjëll Thaqi.
Pionierët e vjetër: Herolind Kallaba, Alban Kryeziu, Sahit Kryeziu, Pajtim Kryeziu, Besnik Kryeziu, Enis Kastrati, Getoar Thaqi, Ardian Kryeziu, Hasip Kastrati, Valdrin Rrudhani, Kushtrim Foniqi, Armend Kastrati, Besim Kryeziu, Shkumbin Lenjani, Gëzim Kryeziu, Nehat Kryeziu, Kastriot Kastrati, Astrit Kryeziu, Dardan Thaqi,Arton Hajrullahu, Hekuran Kryeziu, Valmir Kryeziu, Shkodran Thaqi, Fitim Kçiku, Dibran Geci, Lundrim Kryeziu, Artan Rrudhani.
Në kohën kur po e botojmë këtë artikull një numër i vogël nga lojtarët e sipërpërmendur nuk e vijojnë shkollën e futbollit për shkak të migrimit të tyre (me prindër) jashtë shtetit.
Në fakt Rogana, jo vetëm që i ka dashamirët e drejtpërderejtë të shkollës së futbollit, por ka edhe donatorët, pa të cilët mbase ky aktivitet do të ishte më i zbehtë e ndoshta edhe i pamundur. Prandaj me arsye do t’i fusim edhe emrat e tyre në këtë historik të futbollit të Roganës. Ata janë: Ndërmarrja tregtare Private „Elmak“ me pronarin Alush Sejdiu; Piceria „Greta“ me pronar Basri Kryeziun, Qumështorja „Kabi“ me pronar Ruzhdi Kastratin dhe Kooperativa Bujqësore „Bujku“ me drejtor Agim Spahiun. Të shpresojmë që kjo shkollë e futbollit, krahas pavarësisë së Kosovës, në vitin 2006 të arrijë rezultate kulminante, duke u dëshiruar këtyre futbolldashësve suksese të vazhdueshme në jetën e tyre sportive.
Xhevdet Kallaba
Botuar në revistën periodike «info Rogana» – shkurt 2006