12.5 C
Kosovo
22/11/2024

“Një za i fortë”, fituese e Festivalit të Teatrit të shkollave të mesme, nga regjisorja Natyrë Kallaba

Arkivi

Gjilan, 7 qershor 2021 – Komuna e Gjilanit ka organizuar sot ceremoninë e ndarjes së çmimeve fituese për Festivalin e teatrit të shkollave të mesme, praktikë kjo e re në Gjilan dhe e vetmja edhe në nivel të Republikës, që ka konfirmuar talentin e lartë profesional të nxënësve të këtyre shkollave.

Gjilanasit kanë pas mundësinë që nga 1 qershori deri më 5 qershor të ndjekin shfaqjet e përgatitura nga nxënësit e shkollave të mesme, nën asistimin profesional të regjisorëve dhe aktorëve të Teatrit të Qytetit, të organizuar nga organizata “Vepro”.

Bullizmi, të drejtat e fëmijëve, dhuna në shkolla, dhuna në familje, të drejtat e grave dhe diskriminimit, ishin temat të cilat janë trajtuar nga shfaqjet “Rebelët”, nga nxënësit e shkollës “Xhavit Ahmeti”, “Edhe unë jam këtu”, e përgatitur nga nxënësit e shkollës “Mehmet Isai” dhe shkollës “Arbëria”, “Kush është më i forti” nga nxënësit e shkollës “Zenel Hajdini”, “Trupi vs Turpi” nga nxënësit e shkollës së Muzikës dhe shfaqja “Një za i fortë” nga nxënësit e shkollës së Mjekësisë Dr. Asllan Elezi” dhe shkolla ekonomike “Marin Barleti”.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se përpos sporteve shkollore, garave të dijes dhe aktiviteteve të tjera, ky Festival është ai që unë kam shumë për zemër sepse jehona e tij dhe talenti i nxënësve ka bërë një jehonë shumë të madhe në rrjetet sociale dhe në mediumet publike.

“Konkurrenca e nxënësve të shkollave dhe angazhimi i të gjithëve në këtë drejtim ka konfirmuar se Gjilani është qendër e talentit në fushën e artit në përgjithësi dhe aktrimit, gjithashtu. Ky ballafaqim me projekte të kësaj natyre në një konkurrencë shumë të madhe të nxënësve dëshmon se vlerat në teatër profesionist do të jenë gjithnjë e më të mëdha dhe të veçanta, kur shihet se që nga shkolla e mesme kemi potencial dhe vlera në aktrim. Ky Festival të gjithë i bënë fitues dhe përgatitja juaj, kultura dhe vendosmëria, na kanë bërë krenarë të gjithë gjilanasit”, ka thënë në fjalën e tij kryetari Haziri.

Ndërsa, Nazim Gagica, drejtor i Arsimit dhe Deniza Limani, drejtoreshë e Kulturës, kanë konfirmuar se bashkëpunimi në mes dy drejtorive ka prodhuar pesë shfaqje të cilat janë një përgatitje e lartë profesionale dhe obligim që për vitin e ardhshëm këtë ta bëjmë edhe në një shkallë më të lartë dhe të jetë edhe më madhështore.

Shfaqja më e mirë e festivalit u shpall “Një za i fortë” e përgatitur nga nxënësit e shkollës së Mjekësisë Dr. Asllan Elezi” dhe shkollës ekonomike “Marin Barleti”, me regji të regjisores Natyra Kallaba.

Në këtë ceremoni është dhënë një falënderim për drejtorët e shkollave dhe mësimdhënësit që u kanë dhënë një përkrahje shumë të madhe nxënësve, për realizimin e shfaqjeve, të cilat kanë tërhequr numër jashtzakonisht të madh të shikuesve në Teatrin e Gjilanit.

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja