Info Rogana: Fshati Roganë daton që nga mesi i shekullit të 15-të. Sa shtëpi e keni gjetur Ju Roganën?
Fehmi Kallaba: Unë jam i lindur më 12 mars 1923 dhe është fare e natyrshme që si fëmijë të mos kisha pasur njohuri për numrin e familjeve të fshatit, mirëpo në rininë e hershme, kur edhe kam pasur kontakte me të gjithë bashkëfshatarët, Roganën e mbaj mend me nja 200 shtëpi. I interesuar për të kaluarën e fshatit, e pata pyetur njëherë prindin tim për të kaluarën e fshatit. Babai im Hafez Shefki Kallaba, që ka qenë edhe hoxhë fshati, më pati thënë sa ai e mbante mend Roganën me 35 shtëpi, e kjo do të ketë qenë rreth vitit 1900.
Info Rogana: Në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të Rogana pati një shtim të theksuar në raport me një shekull më parë. Si e komentoni këtë dukuri?
Fehmi Kallaba: Shikoni, përpara familjet tona kanë jetuar tradicionalisht në bashkësi familjare prej shumë anëtarësh, ndërsa pas luftës së Dytë Botërore pasoi një ndryshim. Sa më shumë që shtrihej
standardi jetësor ndër fshatarë, aq më shumë filloi ndarja e familjes tradicionale, kështu që njerëzit sapo martoheshin ndërtonin shtëpitë e tyre dhe jetonin ndaras. Kjo bëri që shekulli i 21-të ta gjejë Roganën me rreth 450 shtëpi. Sigurisht se do të kishte edhe më tepër, mirëpo edhe gati po aq shtëpi janë larguar nga Rogana për të emigruar në pjesë të tjera të Kosovës apo edhe jashtë shtetit.
Info Rogana: Rogana ka disa lagje dhe ju i takoni lagjes Kallaba. A keni banuar prej kohësh në këtë vend ku jeni sot?
Fehmi Kallaba: Jo, të parët tanë kanë banuar në pjesën veriore të fshatit, por me shtimin e vazhdueshëm të banorëve, fshati ka bërë një shtrirje, sidomos në pjesën jugore të tij. Unë, në fakt nuk e mbaj mend këtë zhvendosje, por sipas njoftimeve nga pararendësit e mi, gjyshi im Salih Kallaba me të vëllanë Aliun janë vendosur në këtë pjesë të fshatit rreth vitit 1915.
Info Rogana: Cilat lagje e përbëjnë Roganën?
Fehmi Kallaba: Rogana, përveç muhaxherëve dhe tash së voni disa shtëpive ardhacakësh, është një vëlla i fisit Kryeziu. Ndarja nëpër lagje ka qenë vetëm një ndarje fizike e familjeve tradicionale duke e ruajtur dashurinë dhe respektin ndaj njëri-tjetrit. Prandaj, roganasit nuk martohen mes veti, bile as me muhaxherët dhe ardhacakët e mëvonshëm. Ne jemi të gjithë të fisit Kryeziu, por jo të gjithë thirren me këtë mbiemër. Përveç mbiemrit Kryeziu janë edhe mbiemrat Kallaba, Rudhani, dhe Geci. Vetë fshati ka shtatë lagje autoktone: Kallaba, Geci, Rudhani, Veseli, Sinani, Hima dhe Syliqi. Ç’është e vërteta jo vetëm këto lagje e përbëjnë sot Roganën. Në një bashkëjetesë vëllazërore jetojnë edhe Lagja e Muhaxherëve në perëndim dhe Fshati i Ri që shtrihet në juglindje të Roganës e të cilin e përbëjnë dy lagje; Kallaba dhe
Rudhani. Përndryshe në fshat, aty kah gjysma e shekullit të 20-të, kanë ardhur edhe disa shtëpi nga Kranidelli, të cilët njihen me mbiemrat Qehaja, Thaqi dhe Lakna, kurse pas vitit 1985 në Roganë kanë ardhur edhe disa shtëpi nga Bilinica dhe Breznica e që janë vendosur në Katushnicë.
Info Rogana: Prej kur është vendosur këtu lagja e Muhaxherëve?
Fehmi Kallaba: Muhaxherët, thuhet se kanë ardhur këtu para më shumë se 120 vjetësh, më saktësisht më 1878 kur serbët i kanë përndjekur nga Huruglica afër Vranjës, pas luftërave serbo-turke. Ata
janë vendosur fillimisht afro një kilometër në veri të rrugës Roganë-Muçiverc, por pas vitit 1972, duke i blerë trojet pikërisht nga lagja Kallaba janë vendosur në të dy anët e rrugës prej Përroit të Mujës, që ndanë Roganën prej Muçivercit e deri te Tyrbja.
Info Rogana: Po, lagja e Katushnicës kur ka filluar të ndërtohet?
Fehmi Kallaba: Kjo ka qenë fare vonë. Për herë të parë aty ka ndërtuar shtëpinë Sylejman Kryeziu, më 1972 dhe një vit më vonë edhe Ilmiu i Azem Kryeziut. Më kujtohet, deri vonë ato vende, sidomos rreth rrugës kanë qenë të pabanueshme. Bile sefte në Katushnicë e ka pas ble një arë Myrtë Kallaba, e djemtë e tij Agimi e Bashkimi më vonë e kanë ndërtuar shtëpinë. Prej Xhamisë e deri në Hodonoc ai vend ka qenë shkret. Më kujtohet, kur jam shkuar në shkollë më 1934 udha ka qenë midis varreve për skaj arës së molla rexhepëve të Hodonocit (prej shtëpisë së Hasimit e kah tregu i sotëm) dhe ka dale hej te vidhat, te njëfarë udhëkryqi i kërshlanëve. Mirëpo më vonë Katushnica u bë një vendbanim me mjaft perspektivë e kjo u bë mirë edhe për vetë Roganën.
Info Rogana: Sa ke qenë i lidhur për Roganën dhe çka ke mundur të bësh për fshatin tënd?
Fehmi Kallaba: Unë në fakt jam rritur bashkë me Roganën edhe pse kam punuar në Kamenicë si tagrambledhës prej pas Luftës së dytë botërore e deri në pension. Mirëpo, më 1985 kam qenë kryetar i Lidhjes Socialiste për fshatin. Nuk kam qenë gjatë, por në atë kohë pata marrë disa iniciativa për fshatin. Pata kërkuar dhe isha këmbëngulës që të ndërtohet një ambulancë e veterinës gjë që edhe u bë. Pastaj në atë periudhë hasa në mirëkuptim edhe me një Osman Bilallin që punonte në Elektrokosovë dhe ma mundësoi që ta rregullojmë rrjetin elektrik prej xhamisë e deri në Katushnicë, kështu që askush nuk ka paguar as për shtylla e as për tela e bile as për trafostacionin. Më herët, deri sa punoja në Kamenicë, udhëtoja për çdo ditë në këmbë, kështu që ia dija edhe rëndësinë transportit rrugor. Kjo më shtyri që të bëj përpjekje të mëdha dhe pata arritur që ta vë në qarkullim linjën e parë të autobusëve. Më kujtohet, pata kërkuar prej një Milenkoviqit që ta lëshojë një linjë të autobusëve, por ai më tha se nuk vjen në shprehje. Në atë inat hipa në një autobus të Vranjës dhe po e pyes shoferin se si është mundësia që të qarkullojë autobusi edhe në këtë pjesë të komunës e ai më tha se duhet të kontaktoj me drejtorin. Shkova në Vranjë dhe e takova drejtorin. Ai më priti shumë mirë, por më tha se kjo varet nga Komuna, gjë që këta të komunës së Kamenicës nuk pajtoheshin. Një ditë hipa në një autobus të Kumanovës dhe shkova e fola me drejtorin e asaj organizate. Ai më tha se kjo kërkesë duhet të vijë prej popullit, kështu që bëra disa procese me kërkesa, të cilat i organizova të nënshkruhen nga banorë të 12 katundeve të kësaj ane, ua dorëzova në drejtori, në Kumanovë dhe së shpejti u lëshua linja e parë. Më kujtohet fare mirë ajo kohë, sepse atë ditë të 21 marsit 1968 më pati vdekur babai (Hafez Kallaba) dhe shumë njerëz që kishin ardhur nga Bujanoci, Presheva, Kumanova e Shkupi kishin udhëtuar me atë autobus dhe kishin arritur për varrim. Edhe diçka më kujtohet. Ishin vitet e 70-ta. Në një mbledhje të fshatit e pata përmendur se do të kërkoj që të vijë mjeku e të punojë në ambulancë. Të gjithë qeshnin me mua duke më thënë: – diçka që nuk bëhet mos e fol ore!. Mirëpo, pas tre muajsh doktori erdhi nga Vranja dhe punoi në Muçiverc. Këto i kam bërë, pra, për fshatin tim, natyrisht edhe me ndihmën e bashkëfshatarëve, të cilët shumë i respektoj.
Info Rogana: A ju kujtohet kur ka filluar punën shkolla e Roganës në gjuhën shqipe?
Fehmi Kallaba: Unë kam qenë në shërbim ushtarak, por kjo ka ndodhur më 1945/46 dhe mësuesi i parë ka qenë Xhevat Aliu. Me ardhjen e mësuesit shqiptar në Roganë sikur ka filluar një epokë e re për roganasit. Unë jam krenar me punën e mësuesve shqiptarë në këtë shkollë. Falë punës së tyre, por edhe angazhimit tim, unë personalisht, kam arritur t’i shkolloj të gjithë fëmijët e mi.
Info Rogana: Cila është porosia juaj për gjeneratat e ardhshme?
Fehmi Kallaba: T’ju them të drejtën, tani në këto ditë pleqërie kur së shpejt do të hy në vitin e 84-të jetës, po më kënaqin vizitat e shumta të bashkëfshatarëve dhe miqve të mi. Kjo më bën nder dhe krenohem për respektin e ndërsjellë të roganasve. Prandaj të rinjtë, padyshim, do t’i porositja që të shkollohen, ta respektojnë dhe ta ndihmojnë njëri-tjetrin, të krijojnë kushte jetese këtu dhe të mos e braktisin vendin e vet.
Shëndet dhe pleqëri të lehtë!, ishin urimet e „Info Roganës“ për plakun më të moshuar të fshatit, z.Fehmi Kallabën.
Xhevdet Kallaba
Botuar në revistën periodike «info Rogana» – shkurt 2006