Në orët e hershme të mëngjesit, atëherë kur po ndaheshin nata me ditën, një burrë rreth 50 vjeç, i veshur me rroba dimri e me kësulë në kokë, po tërhiqte dy mështjerra, kurse pas tij një djalosh që, me siguri nuk i kishte mbushur të pesëmbëdhjetat, me një shkop në dorë u grahte mështjerrave dhe tërhiqte gjithshtu një lopë qumështore. Silueta njerëzish që futeshin në hinkën e udhës për te tregu i kafshëve sa vjen e shtoheshin. Aty pranë rrethojes një zjarr i ndezur lëshonte flakën rreth një metër lartësi dhe ngrohte disa tregtarë që, thuase, ta kishin kaluar tërë natën afër rrethojes së tregut të kafshëve. Zhurmë bagëtish dëgjohej gjithandej rrugës për te tregu ku shkarkoheshin kamionët e tregtarëve të mbushur me kafshë.
E mërkura në Roganë shënon ditën kur Rogana, gjatë ditës, dyfishon numrin e banorëve. Mijëra banorë të fshatrave përreth, por edhe nga Malësia e Hashanisë e më gjerë gravitojnë Roganën 4000-banorëshe. Të parët, që ia mësyejnë Roganës, janë tregtarët e kafshëve. Shumë tregtarë nga Tërnoci dhe pjesë të tjera të Kosovës Lindore, tashmë e kanë bërë një kanal tregtie midis tregut të Roganës dhe tregjeve të Serbisë. Qysh të mërkurën mbrëma, shumë roganas, por edhe minitregtarë nga Hodonoci, Fshati i Ri, Karaqeva e Muçiverci mbushin ahuret e veta me vjeta, gjedhe e mështjerra për t’i nxjerrë në treg ditën e mërkurë, në Roganë.
Si rrjedhojë e këtij fluksi të tregtisë me kafshë, tregu i kafshëve i Roganës është i vetmi, mbase në gjithë Kosovën, që organizohet dy herë në javë; të mërkurave dhe të dielave. Ky treg është plotësisht i ndarë nga tregu i gjelbër. Blerësit e këtyre kafshëve vijnë nga të gjitha anët e Kosovës. Shi për këtë, falë këtij tregu, sot Rogana njihet gjithandej Kosovës. Kjo formë e biznesit mundëson ekzistencën e shumë familjeve përgjatë kufirit administrativ shqiptaro-shqiptar ndërmjet Komunës së Dardanës dha asaj të Bujanocit. Hyrja në treg është me pagesë dhe të ardhurat e grumbulluara i inkason Kooperativa bujqësore “Bujku” e cila ka një hektar hapësirë tregtie me objektet përcjellëse afariste dhe një pikë karburanti. Qindra bujq, anëtarë të kësaj kooperative, si dhe tregu i gjelbër dhe ai i kafshëve menaxhohen nga 14 punëtorë administrativë dhe drejtori i tyre Agim Spahiu. Restaurantet dhe kafiteritë afër tregut punën e fillojnë që menàtë. “Unë punën e nis aty nga ora katër e mëngjesit, fillimisht duke përgatitur ushqime për tregtarët, por edhe për t’i strehuar ata në orët e hershme të mëngjesit deri sa të nis punën tregu”, thotë Sejdi Rrudhani, pronar i restaurantit “Baqja” vetëm disa metra larg tregut. Rreth orës 7 të mëngjesit, para dyerëve të tregut të gjelbër, radhiten veturat dhe furgonët për të plasuar mallin e tyre në tezgat e tregut, të cilat janë të pakëta e me të cilat menaxhon “Bujku” nga Rogana.
Prej orës 9.00 vizitori fiton përshtypjen sesi ambienti njëhektarësh i tregut të gjelbër po bymehet nga tezgat lëvizëse, por edhe nga furnizimi i prodhimeve vendore, i shpërndarë gjithandej tregut të rrethuar me rrethojë standarde. Në pranverë dhe në vjeshtë tregu vërshohet edhe nga prodhues fidanesh, e lulesh dhe pemësh ekzotike.
Kërkesat e banorëve, por edhe ofertat e tregtarëve janë nga më të ndryshmet. Tregtarët janë të rregullt dhe secili e di se në ç’pjesë të tregut e ka vendin.
Pjesa veriore mbulohet me prodhime vendore të kulturave të pemtarisë dhe perimeve. Në pjesën e mesme dominojnë prodhime shpezësh, por edhe zarzavate të amvisërisë, kurse në pjesën jugore tregtojnë kryesisht shitësit e veshmbathjes. Dhe krejt në jug, në oborrin e Kooperativës bujqësore “Bujku” tregotjnë zdruktharët me punimet e tyre prej druri. Ndonëse tregtia përgjatë rrugës është e ndaluar nga Drejtoria e Bujkut, në hyrje të tregut shihen edhe disa prodhime ekzotike prej druri: djepa, sofra, lugë, okllagia, shkëmba etj, si dhe prodhime të tjera vendore: vezë, patate, fasule, gjizë, miell misri etj.
Në ditën e tregut të datës 1 shkurt 2006, intervistova disa tregtarë, të cilët për “Info Rogana” u shprehën: “Jemi të rregullt me shitjen e prodhimeve tona, por edhe të disa prodhimeve të importura”, thonë tregtarët e rregullt roganas Hesati, Jashari, Fadili, Habimi etj. Ky i fundit thotë se i ka mbjellë 1000 metra katrorë tokë me patate dhe i ka fituar 4000 kg.Ai për çdo javë shet disa thasë me patate. Këtë ditë ai i kishte shitur 100 kg nga 25 centë për 1 kg. “Jetoj në fshat, dhe, përkundër detyrës sime si mësues, arrij të merrem edhe me prodhime bujqësore, kështu që gjatë tërë vitit i sjell këtu prodhimet bujqësore që i punoj së bashku me fëmijët e mi, si: qepë, patate, karrota, domate, presh etj, thotë mësuesi Muharrem nga Hodonoci.
Fasulja dhe patatja e Muhocit, 6 km në verilindje të Roganës, është e njohur për cilësinë e lartë të ushqyeshmërisë, ndaj sapo dëgjon konsumatori këtë konfirmim nuk hamendet për blerje. Këtë ditë takuam Isën dhe Salihun nga Muhoci, të cilët thonë se Rogana është i vetmi treg ku e plasojnë mallin e vet. – Kushtet për punë i kemi të mira, mirëpo pak punojmë kështu që edhe pak kemi, thonë ata.
Është evidente që në tregun e Roganës mallra për shitje sjellin edhe tregtarë nge rrethi i Gjilanit e më gjerë. Driton Sylejmani nga Radivojci vjen çdo të mërkurë në Roganë me prodhimet e bëra prej llamarine. Kryesisht jam i kënaqur me shitjen e sidomos me blerësit. Mendoj që edhe ata të jenë të kënaqur me mallin tim dhe me mua. Dritoni, një stufë me ngrohje druri e shet për 20 euro, kurse një mangall me gjithë mashë kushton 10 euro. Ai konsideron se e ka të zgjidhur problemin e punësimit.
Lulzimi nga Gjilani merret me tregti që nga viti 1988 kur ishte diplomuar në Fakultetin ekonomik dhe nuk kishte pasur fatin të punësohej në profesionin për çka ishte shkolluar. Ai pajtohet me konkludimin se këtë fat e ndan me shumë bashkëmoshatarë të tij, të cilët janë shkolluar dhe se diturinë universitare nuk kanë arritur ta shfrytëzojnë në institucione përkatëse. Për tregun e Roganës, Lulzimi shprehet në superlativ; “marrja me tregti është thjeshtë nga nevoja e domosdoshme për mbijetesë, megjithatë jam i kënaqur edhe pse para luftës situata në tregun e Roganës ka qenë shumë më e mirë, ngase Roganën e kanë rrethuar shumë fshatra të pasura dhe mjaft të banuara. Tani, pas luftës kemi rrethana të reja në këtë pjesë të Kosovës. Shumë banorë të kësaj ane janë zhvendosur në Gjilan, Dardanë e Prishtinë, por edhe jashtë shtetit dhe, kjo, gjithsesi reflektohet edhe në treg” shprehet Lulzimi nga Gjilani. Ismet Agaj nga Hogoshti është mbathëtar. Edhe ky dikur ishte nëpunës zyre, por sot ai duhet të pajtohet me një punë ambulantore që e bën duke mbathur kafshë shtëpiake. “Kam prodhime të mia të patkonjve për kuaj, gomarë, lopë etj” thotë Ismeti dhe nga një çantë nxjerr disa pllakëza të hekurta që i quan patkonj.
Ai ka farkuar dy lloje patkonjsh, për rrugë të asfaltuara dhe për rrugë malore duke dhënë arsyetimin përkatës për rolin e secilit patkua. “Dikur nuk dilja fare në treg, njerëzit i sillnin kafshët në dyçanin tim në Hogosht dhe unë kryeja punën më me komoditet. Tani që ka rënë puna më duhet të dal unë në treg dhe ta kryej punën aty për aty. Jam i vetmi në Komunën e Dardanës, kështu që njerëzit më njohin dhe më ftojnë që t’ua mbath kafshët apo t’ua pastroj thundrat e kafshëve të tyre. Një mbathje Ismeti e bën për 15 euro.
Xhevdet Kallaba
Botuar në revistën periodike «info Rogana» – shkurt 2006