15.5 C
Kosovo
19/09/2024

Vajzat e 2 Korrikut nesër debutojnë në Ligën U17; kryetrajnerja Florentina Kallaba jep mesazhin e saj

Arkivi

Dita e madhe e debutimit në gara zyrtare po afron për vajzat nën moshën 17-vjeç të 2 Korrikut. Një rrugë e ndjekur tash e më shumë se dy vite nga vajzat “verdheblu” po kulmon me një arritje siç është pjesëmarrja në gara zyrtare që organizohen nga shtëpia më e madhe e futbollit në Kosovë, Federata e Futbollit e Kosovës.

4 Shtatori do të shënoj një ditë të madhe edhe për vet klubin e 2 Korrikut, e për këtë datë, kryetrajnerja e vajzave, Florentina Kallaba, e cila ka qenë pjesë e skuadrës së vajzave të 2 Korrikut që nga themelimi i saj, ka thënë se për të do të jetë një ditë shumë emocionale. “Të dielën e shoh si ditë historike për ne si klub. Për ne, ardhja deri këtu është diçka që ka kërkuar shumë përkushtim. Ndihem me fat që jam pjesë e kësaj skuadre dhe ndihem jashtëzakonisht mirë që kam qenë pjesë e këtij organizimi që nga dita e parë e tij. Nesër do të jetë një ditë speciale për mua, sepse do ta realizoj një ëndërr të kamotshme”, është shprehur kryetrajnerja “verdheblu”.

“Vajzat janë gati. E kanë pritur me padurim këtë moment dhe ja ku është. Kanë punuar shumë e kanë qenë gjithmonë të gatshme për t’u paraqitur e për t’i mbrojtur ngjyrat e klubit. Tash e kanë mundësinë që këtë gjë ta bëjnë në gara zyrtare dhe kjo gjë i lumturon shumë ato”, shtoi mes tjerash Kallaba, në lidhje me atmosferën në ekip para duelit të nesërm.

Kur kanë mbetur pak orë para duelit kundër RilindjesFlorentina si trajnere e vajzave, u shpreh se këto ndeshje të para do të jenë shumë të vështira, sepse si debutuese në Ligën U17 do të iu duhet kohë për t’u ambientuar. “Ka për të qenë e vështirë koha deri sa të ambientohemi, por ne nuk hyjmë për t’u dorëzuar pastaj. Jemi gati për të bërë gjëra të mëdha dhe për këtë jemi angazhuar në këto dy vitet e fundit, e po për këtë do të vazhdojmë me punë dyfish më të madhe, sepse qëllimet duhen arritur”, tha Kallaba.

Ritheksojmë se, 2 Korriku, ndeshjen debutuese në Ligën U17 – Femrat, do ta zhvilloj kundër skuadrës tjetër kryeqytetase, Rilindjes. Kjo përballje e vajzave do të zhvillohet në stadiumin e 2 Korrikut, ditën e diel, me fillim në ora 10:00.

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja